Mediat amerikane kanë zbuluar detaje të reja në lidhje me vrasjen e 34-vjeçarit Pajtim Krasniqi, një tregtar aksionesh, i cili u vra nga gruaja e tij 27-vjeçare Sabrina Krasniqi. Kjo e fundit u vetëvra pasi qëlloi për vdekje të shoqin me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi në banesën e tyre luksoze në Hallandale Beach, Florida, dhe sipas familjes së Pajtimit, shkaku kryesor ishte një tradhti bashkëshortore nga ana e Sabrinës, që ai e zbuloi.
Vëllai i viktimës, Arben Krasniqi, ka deklaruar për New York Post se Sabrina e kishte pranuar tradhtinë dhe mendonte se ai do t’i kërkonte divorcin. Frika e saj nga ndarja duket se e çoi drejt kryerjes së këtij akti ekstrem.
“Ajo mendonte se ai do ta linte pas tradhtisë. Pajtimi ishte i dashuruar, por ajo nuk mund të pranonte që gjithçka mbaroi dhe vendosi t’i marrë jetën Pajtimit dhe më pas vrau vetes së saj,” tha Arbeni.
Sipas Arbenit, familja kishte vënë re shenja shqetësuese tek Sabrina, por nuk e imagjinonte se situata mund të përfundonte në një tragjedi kaq të rëndë. “Vëllai im ishte plot energji, kishte ambicie dhe ishte shumë i dashur. Një veprim egoist e mori nga ne. Familja jonë është e shkatërruar,” shtoi ai.
Policia e Hallandale Beach gjeti trupat e çiftit shqiptar në ballkonin e apartamentit të tyre në katin e 45-të pas aktivizimit të sistemit ShotSpotter. Pamjet nga vendngjarja treguan vrima plumbash në xhamin e derës dhe pellgje gjaku pranë trupave.
Pajtimi njihej për inteligjencën dhe përkushtimin e tij. Ai kishte punuar në tregun financiar, pasuritë e paluajtshme dhe kriptovalutat. Pavarësisht një aksidenti të rëndë me motor pesë vite më parë, ku mjekët rekomanduan amputimin e këmbës, Pajtimi refuzoi dhe iu nënshtrua 16 operacioneve për të shpëtuar këmbën. “Ai kishte forcë mendore të jashtëzakonshme,” kujton Arbeni.
Familja Krasniqi tani po përpiqet të përballet me humbjen e Pajtimit dhe pyetjet pa përgjigje rreth asaj që ndodhi.