Qendra Spitalore “Nënë Tereza” ka reaguar pas një shënimi të gazetarit Osman Stafa, se një vajzë e mitur 3 vjeçare që është diagnostifikuar me kancer, po lihet pa trajtim në spital për shkak se janë festat zyrtare. QSUT thotë se ky pretendim është i pavërtetë.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, QSUT informon me përgjegjësi të plotë opinionin publik se, referuar rastit të pacientes 3-vjeçare A.L, janë kryer të gjitha procedurat mjekësore sipas protokolleve dhe vlerësimit klinik të pacientes nga mjekët që ndjekin rastin në fjalë.
“Informojmë se prej ditës së martë pacientja A.L ka patur temperaturë të lartë. Duke vlerësuar gjendjen, mjekët kanë vendosur që të shtyjnë marrjen e terapisë së kimios për të shmangur komplikime të gjendjes klinike”, thotë deklarata e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.
Deklarata e plotë e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”
QSUT informon me përgjegjësi të plotë opinionin publik se, referuar rastit të pacientes 3-vjeçare A.L, janë kryer të gjitha procedurat mjekësore sipas protokolleve dhe vlerësimit klinik të pacientes nga mjekët që ndjekin rastin në fjalë.
Për transparencë dhe specifikën delikate që përbën rasti, pasi kemi të bëjmë me një të mitur vetëm 3 vjeç, informojmë se prej ditës së martë pacientja A.L ka patur temperaturë të lartë. Duke vlerësuar gjendjen, mjekët kanë vendosur që të shtyjnë marrjen e terapisë së kimios për të shmangur komplikime të gjendjes klinike.
Ndërkohë, pacientja mbahet gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e mjekëve specialistë dhe janë ata që vendosin, në bazë të protokolleve dhe konsultave, për vijimin ose jo të terapisë duke u bazuar në gjendjen faktike klinike.
Lidhur me këtë rast, por edhe me çdo rast tjetër që paraqitet në QSUT për ndihmë mjekësore, duam të sigurojmë se i gjithë stafi spitalor është i angazhuar dhe përgjegjës për të bërë maksimumin e mundshëm për të shpëtuar së pari jetën e çdo personi dhe për të kuruar deri në shërimin e plotë çdo pacient që paraqitet dhe ka nevojë për asistencë mjekësore.
Shënimi i plotë i gazetarit Osman Stafa:
Vogëlushja 3-vjeçare, ende pa marrë medikamentin sepse është pushim. Dhe ajo duhet të presë të hënën, që të vijë kimioterapia. Pra edhe 4 ditë të tjera.
Prisja që sot, Ministria e Shëndetësisë, Ministrja e Shëndetësisë, që deklaron në Kuvendin e Shqipërisë se mungesa e ilaçeve kimio në QSUT, është jo e vërtetë, të merrte masa, dhe t’ia siguronte “Crisantospase-n”, 3-vjeçares, por Jo.
Vogëlushja, ka tre javë sipas familjarëve, pa këtë medikament kimio. Askush nuk thote se kur do të vijë. Kjo sepse nuk është lidhur kontrata e re. Kontrata e fundit ka mbaruar në qershor.
A pret leuçemia akute kur të lidhë Ministria kontratën e re?
A pret leuçemia akute të mbarojnë pushimet?
A ka guxim Ministria që ka për detyrë të sigurojë kimiot, ta shohë të voglën në sy. A mundet?
Nëse i ka mbetur sadopak njerëzorja brënda saj, Koçiu t’ia sigurojë sa më parë kimion, që vajza ta fillojë trajtimi e mos të humbasë më kohë. Është vetëm 3 vjeç.