Kompozitori Agim Krajka thotë se shumë artistë kanë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit.
I pyetur për rastin e Alida Hiskut, që thotë se është përdhunuar në burg nga sigurimsat, Krajka thotë se nuk ka dijeni për këtë ngjarje.
Por, sipas tij, kanë qenë të shumtë ata që kanë pasur lidhje me Sigurimin.
Ai merr shembullin e Parashqevi Simakut, që ka pasur të dashur një sigurims.
“Të gjithë shqiptarët ishin nën thundrën e Sigurimit të Shtetit. Nuk kishte shqiptar t’i shkonte mendja të bënte një gjë dhe të shpresonte se nuk do ta mirrte vesh Sigurimi i Shtetit.
Dhe zmadhime të tilla, që duan të ulin personalitetin e një artisti apo artisteje nuk duhen bërë.
Sigurimsit ishin njerëz, ishin të përgatitur, të shkolluar. Unë jam befasuar shumë, sepse edhe unë bëja pjesë në sferën e atyre sigurimsave, se ata na shoqëronin kur dilnim jashtë. Bashkëpunimi me ta ishte detyrë. Ishte kodi i punës. Unë si përgjegjës orkestre, si udhëheqës artistik duhet të bëja relacion çdo ditë për ta, ku duhej të njoftoja se është ky apo ai problem, ose nuk ka asnjë problem. Pra unë në relacion do ta thosha çdo gjë ashtu siç ishte.
Edhe Parashqevia kishte një mik nga të Sigurimit të Shtetit, “friends” siç thuhet sot, që flirtonte dhe rrinte bashkë me të, aty përtej televizionit. Rrinin e bisedonin, flisnin për artin, për poezinë, por s’më hynte në punë mua kjo. Në atë kohë e gjithë Shqipëria ishte në syrin e sigurimsave. Ata edhe ndjenja kishin se ishin të rinj e do të lidheshin me ndonjë vajzë, siç ishte rasti i mikut të Parashqevisë”, thotë ai në një intervistë për Shqiptarja.com.
Krajka flet më tutje sërish për Simakun, e cila, sipas tij, u shkatërrua si këngëtare pasi shkoi në Hollivud.
“Ajo kishte një zë, që as vetë nuk ishte e vetëdijshme se çfarë zëri kishte. Unë e kam thënë gjithmonë që atë zë që i kishte dhënë zoti nuk ishte në gjendje ta vlerësonte veten, duhet një formim i madh të kuptoje se në çfarë kategorie duhej futur në krijimtari, ajo i këndonte këngët popullore si askush tjetër, por ajo s’e vlerësonte atë mrekulli që i kishte dhënë zoti.
Krjimtaritë më të mira të krijuesve, kur i merrte në dorë Parashqevia i bënte hit. Unë kur shkova në Amerikë e kam mbajtur edhe Parashqevinë 6 muaj në shtëpi. Në fakt unë mbaja shumë njerëz që vinin nga Shqipëria, që ti ndihmoja se e dija se në ç’hall ishin. I them Parashqevisë: “-Hajde të realizojmë ca këngë popullore dhe të mbeten ca CD që të mbeten në histori”. “-Jo, -më thotë,- unë do shkoj në Hollivud këtu”. “Çdo bëj atje?, -i thashë, duke menduar se ajo mund të bënte CD me muzikë popullore, që ajo i qante, i bënte bukur, një CD me muzikë të lehtë.
Pastaj në Amerikë kishte dhe shqiptarë dhe kush më mirë se zëri i saj mund të përcillte traditën popullore. Filluan kompozitorë të njohur të bënin këngë për të, por e shkreta nuk dinte të administronte atë mrekulli që i kishte dhënë Zoti e natyra. Këtu aq sa ishte dha gjëra të mrekullueshme. “-Shqiptarët të njohin si emër, edhe kosovarët dhe do të investojnë për ty”, i thashë. Dhe ajo në kulmin e kësaj kohe që kishte bërë emër edhe ato pak muaj që ishte në Amerikë vendosi të ikte në Hollivud. Mos e zgjasim, ashtu iu mbush mendja ashtu bëri. Dhe shkoi në Hollivood dhe u kthye “e mbaruar” që aty”, thotë Krajka.