Zgjebja, në vendin tonë është nën kontroll dhe nuk ka arsye për panik. Në një intervistë dermatologia Entla Shkodrani theksoi se nuk ka pasur një rritje të rasteve të raportuara, duke përjashtuar një alarm ose epidemi për këtë infeksion.
Nuk ka alarm apo epidemi nga infeksionet nga zgjebja.
Është kjo deklarata e dermatologes Entla Shkodrani e cila shprehet se nuk ka raste të shtuara me këtë lloj infeksioni në lëkurë që shkakton kruajtje në trup.
“Nuk ka raste të shtuara të pacientëve me Scabies (Zgjebja), ka raste rutinore të një sëmundje infektive që ndodh në çdo periudhë të vitit, por asnjë alarm për raste të shtuara ose për fjalën epidemi të cilën e kemi dëgjuar kto ditë të përhapet në media ose edhe nëpër rrjete sociale.”
Teksa tregon shenjat karakteristike të zgjebjes, mjekja thotë se grupet më të rrezikuara janë fëmijët dhe individët me sëmundje bashkëshoqëruese pasi këta persona mund të jenë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.
“Është një kruajtje tipike që shfaqet kryesisht ose në pjesën e barkut ose në pjesën e duarve, dalin disa elemente të vegjël dyshe dyshe, pa shkuar njëri me tjetrin. Kruajtja është njëçikë e fortë dhe kresisht shfaqet në periudhën e gjumit, pra në përgjithësi atëhere kur personat shtrihen. Mjafton një terapi e vetme nga dermatologu dhe në qoftë se ndiqen disa rregulla asepsie, pra larja përpara se të përdoret preparati, disinfektimi e gjërat e tjera, zgjebja është një sëmundje totalisht e mjekueshme që nuk le asnjë lloj komplikacioni. Nuk ka nevojë për asnjë lloj alarmi.”
Zgjebja shkakohet nga scabies, një parazit I vogël e thuajse I padukshëm me sy dhe është një sëmundje lëkure ngjitëse.
Duke qenë se kjo sëmundje transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë të lëkurës mjekja rekomandon për shmangjen e kontaktit me individët e prekur.